Kuvendi nuk ka kuorum për të votuar ndryshimet buxhetore për vitin 2022

Në mungesë kuorumi, Kuvendi ka dështuar që ta hedh në votim shqyrtimin e parë të projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022.

Të pranishëm në sallën e Kuvendit në momentin kur duhej të votohej ishin vetëm 54 deputetë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka prezantuar projektligjin dhe ka thënë se ky rishikim mbi ndarjet buxhetore është bërë me qëllim që të adresohet nevoja për mbështetje të familjeve.

“Po bëhet një rishikim mbi ndarjet buxhetore, me qëllim që të adresohet nevoja për mbështetje të familjeve gjatë krizës energjetike që po përjeton vendi ynë dhe vendet tjera në botë. Në tre mujorin e parë kemi një rritje të të hyrave prej 17% me tepër se vitin e kaluar”, ka thënë ai.

Gjatë diskutimeve për këtë projektligj deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku tha se ky ligj ka ardhur pa kurrfarë arsye.

“Qeveria duhet të ketë strategji të mirëfilltë në situatën e vështirë që gjendet qytetarët dhe bizneset. Në këtë ndryshim janë rritur shpenzimet për subvencione për tu tallur nga qytetarët me pagesën për 100 euro për një muaj”, ka thënë ai.

Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se qeveria ka neglizhuar kërkesat e komunave dhe institucioneve tjera nevojë për një rishikim të buxhetit.

Në mungesë të deputetëve seanca e Kuvendit ka përfunduar për ditën e sotme, për të vazhduar një ditë tjetër.

Nga seanca e sotme e Kuvendit kanë mbetur këto pika të pa përfunduara:

-Emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës,
-Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar,
-Debat parlamentar për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin e parë të mandatit të saj.