Kuvendi nuk ka kuorum për ratifikimin e Marrëveshjes për ujë në Gjilan

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, ka prezantuar para deputetëve Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit.

Por, Kuvendi nuk kishte kuorum për ta votuar këtë marrëveshje.

Bajrami tha se marrëveshja financiare ndërkombëtare që është negociuar nga Ministria e Financave kap vlerën prej 25.1 milionë euro.

“Kushtet e kredisë janë maturiteti i projektit është 30 vjet ku 5 vite janë grejs periudhë. Norma e interesit është fikse prej 1.25 në vit plus pikët bazë të përshatjes së bazës që në praktikë përkthehet në 0.45 për qind normë interesi për vit. Tarifa fikse e shërrbimit është prej 0.75 për qind në vit plus pikët bazë të përshtatjes së bazës. Kjo kredi nuk krijon ekspozim shtesë ndaj rrezikut të llojës të normës së interesit”, tha Bajrami.

Bajrami tha se qeveria është e informuar së afërmi me problemet e qytetarëve të Gjilanit dhe se janë të përkushtuar që të zgjidhin problemin e furnizimit të ujit në plan afatgjatë.

“Duke e parë rëndësinë e kësaj marrëveshje kërkoj mbështetje me votat e juaja”, tha Bajrami.

Hekuran Murati deputet i LVV-së, në emër të Komisionit për Buxhet dhe Transfere tha se ky komision i rekomandon Kuvendit ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Ndërsa në emër të LVV-së tha se duhet të ketë një raport të detajuar në lidhje me borxhin publik, për të gjithë sektorët dhe për të gjitha kontratat se ku kanë ngecur këto projekte dhe pse, sipas tij, nuk po shfrytëzohen 512 milionë euro të cilat janë ratifikuar dhe qeveria i ka në dispozicion.

“Pa e pasë një raport të tillë të detajuar në lidhje me projektin dhe borxhin publik nuk memdoj që ne si deputetë ta fusim vendin në borxhe të reja”, tha ai.

Fatmir Rexhepi nga LDK tha se do të jetë një projekt shumë i rëndësishëm për qytetarët dhe bizneset e Gjilanit.

Kujtim Gashi, nga PDK tha se ky projekt është i një rëndësie të veçantë sepse i njëjti sipas tij forcon themelet për sigurimin e ujit në pellgun Morava e Binqës e cila është pjesë e zonës së shërrbimit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”.

“Grupi i PDK-së do ta mbështes dhe do të votoj pro”, tha Gashi.

Gazmend Abrashi, nga AAK tha se AAK do ta mbështes ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Deputetët fillimisht kanë votuar për amandamentin e këtij projektligji, ndërsa në mungesë të kuorumit nuk ka arritu të votohet ky projektligj.