Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Kuvendi nuk e fut në rend dite kërkesën e LVV-së që të diskutohet për gjendjen në Telekomin e Kosovës

Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të diskutojë sot për Telekomin e Kosovës në kuadër të një pikë shtesë të rendit të ditës.

Por shumica e grupeve parlamentare kërkuan që kjo pikë të diskutohet ndonjë ditë tjetër për shkak të urgjencës së mbajtjes së seancës për menaxhimin e pandemisë.

Nagavci kërkoi nga deputetët që së paku kjo pikë të futet në rend dieë por të mund të diskutohet që nga nesër.

Me 28 vota për, 15 vota kundër dhe 12 abstenime, Kuvendi vendosi që kjo pikë të mos futet në rend dite.

Nënkryetarja e Kuvendit nga LVV-ja, Arbërie Nagavci kërkoi që diskutimi për ndërmarrjen publike të shtohet si çështje urgjente në rendin e ditës së seancës plenare, pasi sipas saj, gjykata ka lejuar përmbarimin e një vendimi të Arbitrazhit në favor të kompanisë Dardafon.net, e njohur si Z-Mobile.

Sipas LVV-së, përmbarimi i vendimit rrezikon mbarëvajtjen e Telekomit, duke cenuar njëherësh sigurinë shtetërore, interesin publik dhe punëtorët e ndërmarrjes.

Paraprakisht, deputetja Doruntinë Maloku nga LDK tha se debati është thirrur për pandeminë dhe është koha e caktuar.

“Ne propozojmë qe nesër të mbahet ose ndonjë ditë tjetër”, tha ajo.

Memli Krasniqi, nga PDK tha se pajtohen që është temë që Kuvendi duhet ta trajtojë sa më shpejtë që është e mundur.

“Ne kemi qenë të gatshëm edhe sa ka qenë Albin Kurti në qeverisje por atëherë LVV kishte harru që mbiemri Devolli ekziston ne Kosovë. Tash jemi të gatshëm ta diskutojmë. Nuk jemi të sigurt që duhet sot se tema e pandemisë është më urgjente”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka propozuar që nesër të mbahet sepse, sipas tij, deputetët duhet të përgatiten.

“Do të ishte e nevojshme të trajtohet në mënyrë të rregullt përmes Kryesisë”, tha Krasniqi.

Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit tha se  nëse ka dakordim të tillë, është mirë të votohet dhe të vendoset si pikë e radhës edhe të diskutohet edhe nesër.

Teuta Haxhiu, AAK, tha se për pikën e propozuar është dakord të mbahet një ditë tjetër.

Kuvendi sot në rend të ditës ka raportimin e kryeministrit Avdullah Hoti dhe debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.