Kuvendi një minutë heshtje për nder të viktimave të tërmetit në Turqi e Siri

Seanca e sotme e Kuvendi të Kosovës ka filluar me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri.

Kryepralamentari Glauk Konjufca, në emër të Kuvendit ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave dhe ka propozuar që të mbajnë një minutë heshtje.

“Para dy ditësh ndodhi tërmeti tronditës që goditi Turqinë dhe Sirinë. Deri më tash mësojmë se mbi 8 mijë persona kanë humbur jetën. Propozoj që këtë seancë ta fillojmë me një minutë heshtje për të nderuar viktimat që humbën jetën në këtë tërmet”- deklaroi Konjufca.

“Në emër të Kuvendit të Kosovës ju shprehim ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre. U prehshin në paqe të gjithë ata që ndërruan jetë”- shtoi ai.

Tërmeti me magnitudë 7.8 shkallësh të Rihterit që ka goditur shtetin turk dhe sirian më 6 shkurt 2023 ka shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Ekipet e shumta të kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën e tyre në rajone të ndryshme që janë goditur.

Mbi 9,000 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit në Turqi dhe Siri.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj.

Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantep, Kahramanmarash, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanlëurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilis.

Një kontigjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës është nisur drejt Turqisë për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i 6 shkurtit.