Seanca e Kuvendit të Kosovës më 3 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Kuvendi nesër shqyrton shkarkimin e bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës nesër (e mërkurë) do të mbajë seancë plenare, e cila pritet të nisë në ora 10:00.

Në këtë seancë me 11 pika të rendit të ditës, mes tjerash do të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit  për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Deputetët në rend të ditës e kanë edhe propozim-rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë si dhe debatin parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Më poshtë e gjeni të plotë rendin e ditës për seancën e së mërkurës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Propozim-rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë,

4. Debat parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit,

5. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020,

6. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020,

7. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Akademisë të Drejtësisë për vitin 2020,

8. Emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,

9. Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

10. Shqyrtimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni,

11. Zgjedhja e drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.