Kuvendi i Kosovës - Arkiv
Kuvendi nesër mban seancë, pritet shkarkimi i bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të rregullt plenare nesër (e premte).
Seanca pritet të nisë në ora 10:00, ndërsa në rend të ditës janë 15 pika.
Mes tjerash Kuvendi do të bëjë shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Dy ditë më herët, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë se “në seancën e së premtes pritet që t’i jepet goditje bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave”.
Tahiri i ka quajtur të paligjshme shkarkimet e bordeve.
Më poshtë e gjeni të plotë rendin e ditës të seancës së nesërme:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-006 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10,
5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-019 për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II),
6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”,
7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”,
8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021,
9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-015 për Gjykatën Komerciale,
10. Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave,
11. Votimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni,
12. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
13. Propozim-rezoluta nga debati parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit,
14. Propozimi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar,
15. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2020.