Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi nesër mban seancë, diskutohet edhe për raportin vjetor të BQK-së

Kuvendi i Kosovës nesër me fillim nga ora 10:00 do të mbajë seancën e radhës.

Në rend dite në këtë seancë janë paraparë 20 pika, ndër to edhe raporti vjetor i Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2021.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për punën e Bankës Qendrore të Kosovës.

Në prill të 2022, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti i kishte dërguar një letër  ambasadorit të njërit prej shteteve të QUINT-it, në të cilën e njoftonte se gjendej nën presion politik që ta shkarkojë zëvendësguvernatorin, Sokol Havolli.

Në letrën që KALLXO.com kishte siguruar përmes burimeve brenda njërës prej ambasadave të shteteve të QUINT-it, Guvernatori thoshte se nuk ka arsye për ta shkarkuar Havollin.

Ndërsa më pas, në gusht të 2022, Havolli kishte dhënë vetë dorëheqje. Në letrën drejtuar kryetarit të bordit dhe guvernatorit të BQK-së, Sokol Havolli, kishte thënë se ndër arsyet e dorëheqjes janë presionet e pakuptimta politike që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe sulmet ndaj menaxhmentit e anëtarëve të bordeve të kaluara.

Kurse në korrik po të vitit 2022, KALLXO.com kishte raportuar se Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e kishte larguar nga puna, Shkëndije Himaj Zekaj, e cila kishte qenë kundërkandidate e Mehmetit për pozitën e Guvernatorit ndërsa së fundmi mbante pozitën ‘këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv për sektorin financiar në BQK’.

Ajo ishte larguar nga puna përkundër faktit që nuk është intervistuar/dëgjuar fare nga Komisioni Disiplinor. Përveç kësaj, Himaj-Zekaj ishte larguar nga puna, në ditën që i ka përfunduar pushimi mjekësor i marrë 1 muaj më parë.

KALLXO.com kishte kërkuar të monitorohet procesi disiplinor ndaj Himaj-Zekaj, mirëpo Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, e kishte refuzuar kërkesën për monitorim.

Tutje, në tetor të vitit 2021 KALLXO.com kishte raportuar se BQK-ja e kishte blerë një veturë “Audi” për 69 mijë e 200 euro përmes një procesi të dyshimtë të prokurimit.

Vetura, e cila do të jetë në shfrytëzim nga guvernatori, Fehmi Mehmeti, ishte blerë në tenderin e tretë dhe vetëm pasi BQK-ja e kishte larguar specifikimin teknik të veturës, i cili e kishte bërë të papërgjegjshme kompaninë “Reforma” Sh.P.K. në ofertën paraprake.

BQK-ja blen veturë luksoze për guvernatorin në vlerë 69 mijë euro

Në rend dite në seancën e nesërme është edhe shqyrtimi i propozim-rezolutës kundër sulmeve të integritetit seksual.