Kuvendi nesër debaton për mosheqjen nga BE të vizave për qytetarët e Kosovës

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër në ora 10:00 për seancën e re parlamentare.

Në ketë seancë përveç pikave të tjera, në rend dite është edhe debati në lidhje me mosheqjen e vizave nga BE për Kosovën.

Më 27 qershor, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar se do ftojë debat parlamentar për çështjen e liberalizimit të vizave.

Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Evropë qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin brenda BE-së.

Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së, tha se qytetarëve të Kosovës po u bëhet një padrejtësi e madhe me mosliberalizimin e vizave, duke shtuar se në samitin e Ballkanit Perëndimor për Kosovën ndodhi ajo e zakonshmja.

Tahiri tha se AAK po e sheh me shqetësim të madh qasjen injoruese të Bashkimit Evropian karshi Kosovës dhe trajtimin joserioz të kërkesës së Kosovës për lëvizje të lirë.

Qytetarët e Kosovës shpresuan se në samitin e Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor do të futej në diskutim edhe tema për heqjen e vizave, e cila nuk ndodhi.

Samiti i Bashkimit Evropian me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mbajt më 23 qershor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj gjatë takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Bruksel ka thënë se është i vetmi person në tryezë që mori vizë për të marrë pjesë në samit.

Osmani theksoi se populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi e përparim, prandaj përmendi nevojën për një regjim pa viza.