Foto: Kuvendi i Kosovës, Facebook
Kuvendi nënshkruan marrëveshje me BGF-në, për hulumtime dhe analiza për politika të gjelbra
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar sot më 21.07.2024, me Drejtorin Ekzekutiv të organizatës “Balkan Green Foundation”, Agron Demi, me të cilin ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për mbështetjen e shërbimeve hulumtuese dhe analitike në Kuvend.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje, siç njoftohet nëpërmjet një komunikate, është krijimi i një platforme bashkëpunimi në hulumtime dhe analiza që ndihmojnë Kuvendin e Kosovës në formulimin e politikave dhe ligjeve që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm.
“Sipas marrëveshjes, BGF do të mbështesë Drejtorinë e Përgjithshme duke kryer hulumtime dhe analiza për politika të gjelbra dhe zhvillim të qëndrueshëm, për të mbështetur deputetët dhe organet e Kuvendit në procesin ligjbërës, mbikëqyrës dhe përfaqësues, si dhe do të angazhohet në fushata edukuese dhe promovuese për të rritur ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj mjedisit”- thuhet në komunikatë.
“Balkan Green Foundation”, sipas marrëveshjes, do të ndajë informacione dhe njohuri të marra nga hulumtimet dhe fushatat e tyre me Drejtorinë e Përgjithshme dhe organet e Kuvendit, si dhe do të bashkëpunojë në ngritjen e kapaciteteve hulumtuese dhe analitike, në shkëmbim të përvojave dhe në zhvillimin e platformave të diskutimit.
Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar, Kuvendi i Republikës së Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Përgjithshme për Institutin Parlamentar ndan të dhëna dhe informacione relevante me BGF-në për të lehtësuar hulumtimet dhe analizat, duke respektuar legjislacionin në fuqi dhe rregulloret e Kuvendit; mundëson shpërndarjen e studimeve të BGF-së, si burime të klasifikuara zyrtare në lidhje me fushën e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm si në edukim, ndërgjegjësim dhe praktika profesionale për institucione publike dhe private; siguron ndarjen në kohë dhe të saktë të të dhënave për nismat hulumtuese të ndërmarra nga BGF që ndërlidhen me Kuvendin; si dhe, ndër të tjera, ndan ekspertizë dhe burime njerëzore për të mbështetur zbatimin e nismave të përbashkëta.