Kuvendi në sesionin aktual miratoi vetëm një rezolutë, shumë projektligje mbeten në procedurë

Mungesa e kuorumit për vendimmarrje po karakterizon punën e Kuvendit të Kosovës edhe gjatë këtij sesioni vjeshtor.

Në Kuvend u hartuan e u përcollën shumë projektligje e rezoluta, por pak prej tyre kanë arritur të miratohen.

Vonesat në nisje të seancave plenare dhe mungesa e deputetëve kanë bërë që të mos mund të sigurohen numrat e nevojshëm për kalimin e projektligjeve për të cilat duhen votat minimale, e deri tek marrëveshjet ndërkombëtare që janë në pritje për miratim.

Përveç këtyre, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani kishte bërë të ditur se disa deputetë janë infektuar me COVID-19.

KALLXO.com ka raportuar edhe për brishtësinë e koalicionit qeverisës e reflektuar me numrat në Kuvend.

Monitorues të punës së legjislativit, tregojnë për vështirësit e funksionimit të Kuvendit.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për KALLXO.com se Kuvendi gjatë sesionit vjeshtor, në kuadër të interpelancave dhe debateve parlamentare ka nxjerrë propozim – rezoluta, prej të cilave vetëm një është miratuar ndërkaq edhe nëntë të tjera kanë mbetur në procedurë për miratim për shkak të mungesës së kuorumit në votim.

“Prej tyre janë pesë rezoluta që lidhen me dialogun Kosovë – Serbi, katër prej të cilave janë propozuar nga VV-ja dhe një nga PDK-ja”, bën të ditur ajo.

Ndërkaq, sipas saj katër të tjerat lidhen me temat si çështja e Karaçevës, për problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës, për rikthimin në pronat e tyre në atë pjesë, për çështjen e të pagjeturve dhe për masat në luftën kundër kancerit të gjirit.

Ndërkaq sa i përket projektligjeve, të cilat janë në procedurë për miratim në seancat e mbajtura gjatë këtij sesioni, ajo shton se Kuvendi ka aktualisht në procedurë në lexim të parë gjashtë projektligje dhe tri marrëveshje ndërkombëtare financiare.

“Këto pika janë hedh tash e disa herë në votim gjatë seancave të mbajtura në periudhën raportuese mirëpo për mungesë kuorumi nuk kanë arritur që të marrin epilog”, tha ajo për KALLXO.com.

Hulumtuesja tutje thekson se prej tyre janë tri nisma ligjore të deputetëve konkretisht një nismë ligjore për plotësim ndryshimin e ligjit për automjete nga GP i Vetëvendosjes dhe dy të tjera të GP të PDK-së pra projektligji për masat e përkohshme për të lehtësuar efektin e pandemisë dhe ajo për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së.

“Kurse janë edhe tri projektligje të tjera të sponsorizuara nga Qeveria, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë; Projektligji për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës dhe Projekt Kodi Civil”, tha Haxhiu.