Kuvendi në seancë të enjten, mbahet debat për dialogun me Serbinë

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet më 24 shkurt (e enjte) në seancë plenare nga ora 10:00.

Kështu ka njoftuar pas mbledhjes së Kryesisë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo tha se mes tjerash në rend dite është edhe shqyrtimi në parim i Projektkodit civil të Republikës së Kosovës.

Kusari-Lila theksoi se Grupi parlamentar  i LVV-së do ta ketë në diskutim mes tjerash edhe referencen që ka të bëjë me rregullimin e martesës së gjinisë së njëjtë.

Grupi parlamentar  i LVV-së do ta ketë në diskutim, natyrisht se secili grup parlamentar ka zëra të ndryshëm përbrenda në raport me një referencë, dhe ajo referencë ka të bëjë me rregullimin e martesës së gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të vecantë, i cili nuk duhet t’i ndalojë as ata që janë me pikëpamje konservative të votojnë këtë projektkod për arsye të rëndësisë dhe peshës. Besojmë që ky projekt kod është i rëndësishëm dhe duhet të votohet”, tha ajo.

Kuvendi në rend të ditës do të ketë edhe formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e një kandidat, anëtar të bordit të RTK-së nga radhët e komuniteteve të tjera jo-shumicë, si dhe debat parlamentar me kërkesën e AAK-së mbi dialogun Kosovë-Serbi.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kërkesa për debat në Kuvend për dialogun është bërë nga kreu i partisë, Ramush Haradinaj.

“Si grup parlamentar e kemi bërë një kërkesë për të mbajtur një mocion për dialogun. Kërkesën e ka bërë kryetari Ramush Haradinaj. Ne cilësojmë që kjo është çështje e ndjeshme. Për në është tepër me rëndësi që dialogu të kalojë në një etapë tjetër. Kemi kërkuar që të raportohet në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje”, tha ai.

Sa i përket temës së dialogut, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri e kritikoi Qeverinë për mungesë transparence.

“Para se të diskutohet një çështje e tillë do të duhet të diskutohet edhe në Kuvend. Qeveria e Kosovës nuk është transparente në këtë proces. Nuk mund të flas për draftin e një marrëveshje që nuk e kemi pa. Ajo çka është me shqetësuese është jo transparenca në këtë proces, ka zhvillime ide besa edhe veprime që nuk po shkojnë në të mirën e Kosovës”, tha Tahiri.