Kuvendi ndërpret punimet, sërish s'ka kuorum

Mungesa e kuorumit pamundësoi që të hidhet në votim raporti vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2019.

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, kërkoi që shefat e grupeve parlamentare të sigurojnë pjesëmarrjen e deputetëve në seancë.

“Ky raport nuk mund të vendoset në votim sepse janë të pranishëm 43 deputetë. Rrjedhimisht duhet t’i ndërpresim punimet. I lus shefat e grupeve parlamentare që të kontaktojnë me kryetaren dhe të tregojnë kur janë në gjendje t’i sjellin deputetët që të kemi kuorum, përndryshe s’ka kuptim kështu”, tha Nagavci.

Tutje ajo kërkoi që deputetët të mos vijnë në Kuvend vetëm për t’u nënshkruar dhe më pastaj të largohen nga seanca.

“Me lejoni që të gjithëve të ju tërheq vërejtjen që të mos ketë raste që deputetët të vijnë të nënshkruajnë dhe të dalin prej sallës sepse të njëjtit sot do të kërkoj që të fshihen emrat e atyre që kanë vepruar ashtu”, theksoi ajo.

Përpos raportit të Avokatit të Popullit, në rend për t’u miratuar ishin edhe emërimi i kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT si dhe zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.