Kuvendi miraton rezolutën që kërkon heqjen e vizave për Kosovën

Me 65 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) përmes së cilës kërkohet heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.

Kjo rezolutë është harmonizuar dhe mbështetur nga të gjitha grupet tjera parlamentare.

Sipas rezolutës Kuvendi fton:

  • Këshillin Evropian të marrë një vendim meritor për marrëveshjen për lëvizjen e lirë në zonën Schengen për qytetarët e Kosovës;
  • Qeveria e vendit të punoj në avancimin e platformës shtetërore politike e ekonomike, kundruall zhvillimeve të BE-së ndaj Kosovës, përfshirë refuzimin eventual të liberalizimit të vizave për Kosovën, vazhdimin e status QUO-së dhe gjithashtu pozicionimin e Kosovës pas këtyre zhvillimeve. Platforma duhet t’i prezantohet Kuvendit për miratim;
  • Qeveria e Kosovës të angazhohet seriozisht në përfshirjen e ekspertëve më të mirë të vendit për të ndihmuar në implementimin, monitorimin dhe vlerësimin e platformës shtetërore dhe Kuvendi të ketë të drejtën për të ftuar dhe për të dëgjuar vlerësimet e ekspertëve përkatës për të njëjtën;
  • Qeveria e vendit të mbahet përgjegjëse dhe llogaridhënëse sipas frymës kushtetuese dhe të ju ofrojë qytetarëve vizion të qartë për rrugën që do të ndjekë shteti ynë në drejtim të arritjes së marrëveshjes me BE-në për lëvizjen e lirë në zonën Schengen;
  • Të jetë përgjegjësi e të gjitha institucioneve publike, realizimi dhe kontributi në përmbushjen e një platforme të tillë si projekt për mbrojtjen e interesave të vendit, të trajtohet si pjesë e domosdoshme e raportimeve të rregullta nga institucionet sipas rregullave aktuale në fuqi;

Në Kuvendin e Kosovës u zhvillua debat parlamentar në lidhje me mosliberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën.