Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi miraton propozimin që të shmangen afatet procedurale për Projektligjin për paga dhe Projektligjin për zyrtarët publikë

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozimin që shqyrtimi i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjit për Paga të bëhet me shmangie nga afatet procedurale të parapara sipas rregullores.

Me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për këtë mocion Kuvendi ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme.

Pro këtij propozimi votuan 64 deputetë, ndërsa nuk pati vota kundër, as abstenime.

Deputetët e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK,  nuk kanë marrë pjesë në votimin e këtij propozimi.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se kjo kërkesë ua mohon deputetëve të drejtën për paraqitjen e amendamenteve.

“Tendenca për të hyrë në procedurë të jashtëzakonshme nuk duhet të lejohej e as të kërkohej nga mazhoranca. Ne jemi kundër, duhet tërhequr kjo kërkesë, është kundër rregullores së punës së Kuvendit, e mohon të drejtën e deputetëve për paraqitjen e amendamenteve”- ka thënë Zemaj.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që ky mocion mos të hidhej në votim.

“Ju jeni jo vetëm udhëheqës i seancës por e keni detyrë kushtetuese me e mbrojtë dhe ruajtë autoritetin e institucionit më të lartë në vend. Mos lejoni që në këtë formë të keqpërdoren numrat! Jeni të vetëdijshëm se ka pasë greva dhe është humbur mësimi për shkak të mungesës së këtij projektligji dhe tani po përpiqeni me kontrabandu pa dëgjim publik”- ka thënë Haxhiu.

Në kërkesën e LVV-së, e dorëzuar në Kryesi të Kuvendit, të siguruar nga KALLXO.com, partia në pushtet kërkon që të shmangen afatet procedurale të përcaktuara nga rregullorja e Kuvendit në mënyrë që të caktohen afatet për shqyrtim të dytë të tyre.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se nuk do ta përkrahin kërkesën e partisë në pushtet.

“Jo, nuk e përkrahim, sepse shkelet procedura dhe kemi vërejtje në përmbajte”- ka thënë shkurt ai për KALLXO.com.

Në seancën e 9 dhjetorit, kur janë miratuar në parim këto projektligje, është vendosur që të trajtimi i tyre të bëhet në procedurë të rregullt.

Afati ligjor për të propozuar amendamente sipas rregullores së Kuvendit është 15 ditë.

“Amendamentet në projektligj mund të propozojë deputeti, komisioni parlamentar dhe Qeveria. Amendamentet i adresohen komisionit përgjegjës- raportues, nëpërmjet zyrës për propozime dhe parashtresa brenda përmbledhjet ditësh nga dita e miratimit në parim”- thuhet në rregullore.

Sjellja e këtyre dy projektligjeve sot në Kuvend, nuk do t`ua mundësonte, deputetëve që të shtojnë amendamente të reja për këto dy projektligje të propozuara nga Qeveria.

Në seancën e 9 dhjetorit është miratuar në lexim të parë Projektligji për pagat në sektorin publik. Për kanë votuar 68 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji për Zyrtarët Publikë është miratuar me 61 vota për dhe 1 abstenim.

LVV kërkon seancë të jashtëzakonshme për ligjin e pagave dhe atë për zyrtarët publikë