Kuvendi

Kuvendi miraton Projektligjin për punimet nga metalet e çmuara

Me 71 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për punimet nga metalet e çmuara.

Këtë projektligj e kanë mbështetur të gjitha grupet parlamentare. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka paraqitur dhe arsyetuar këtë projektligj.

Ajo tha se arsyeja dhe qëllimi i këtij projektligji është përcaktimi i kushteve, mënyrës dhe veprimit të kontrollit të cilësisë të punimeve të punuara nga metalet e çmuara.

Ajo shtoi se ky projektligj po ashtu përcakton shkallën e pastërtisë, përbërjes dhe përmbajtjes së metaleve tjera, pjesë prej metaleve jo të çmuara dhe jometaleve.

“Me këtë ligj punimet kontrollohen dhe shënjohen me shenjë shtetërore para se të vendosen në treg”, tha Hajdari.

Ajo tregoi se ky projektligj me nr. 08/L-029 rregullon kushtet dhe mënyrën e ekzaminimit dhe shënjimit në harmonizim me shenjat ndërkombëtarisht të pranuara si dhe detyrimet mbi shpenzimet për ekzaminimin dhe shënjimin.