Kuvendi miraton projektligjin për Ndihmë Juridike Falas

Me 67 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar shqyrtimin e parë të Projektligjit nr. 08/L-035 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-017 për Ndihmë Juridike Falas.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka paraqitur disa nga çështjet më të rëndësishme që përmban ky Projektligj.

“Projektligji parasheh se pavarësisht gjendjes ekonomike dhe sociale, ndihma juridike falas ju ofrohet kategorive si në vijim: Viktimave të dhunës në familje si dhe viktimave të dhunës në baza gjinore, personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë gjatë viteve 1998/99, viktimave dëshmitare të dhunës, viktimave të cilit do lloj të dhunës seksuale përfshirë edhe ngacmimin seksual, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, viktimave të mitur, fëmijëve që jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore, fëmijëve nën kujdestari të cilët kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tij ligjor, si dhe personave që u është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi po mosveprimi që përmban diskriminimin bazuar në vendimin e organit kompetent”, ka shpjeguar Ministria Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se sipas këtij Projektligji ndihma juridike falas përfshin këto shërbime: Informatat dhe këshillat juridike lidhur me procedurat ligjore, përpilimin e shkresave dhe çdo ndihmë teknike që ka të bëjë me kompletimin e lëndës si dhe përfaqësimin në procedurë penale dhe civile por edhe mbrojtjen dhe përfaqësimin në të gjitha fazat e procedurës penale.

Gjatë diskutimit për ketë Ligj disa nga deputetët kanë kërkuar përfshirjen e personave me nevoja të veçanta dhe gazetarët në kategorinë e personave që duhet të u ofrohet ndihma juridike falas.