Kuvendi miraton projektligjin për masat e përkohshme për produktet esenciale

Me votën e 65 deputetëve, është miratuar në lexim të dytë projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Qëllimi i këtij ligji është që të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligj dhe mënyrën e zbatimit të tyre.

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, në prezantimin e këtij projektligji, kishte përmendur qëllimin e tij.

“Ky ligj ka për qëllim të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligji dhe mënyrën e zbatimit të tyre” – tha Hajdari.

Sipas ministres, produktet bazë në kuptim të këtij ligji janë, drithërat, miell i grurit, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët e pulës, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjenës personale, lëndët e drurit për djegie dhe produktet e tjera themelore të konsumit për jetesë të përcaktuara me vendim të Qeverisë.

Kuvendi gjithashtu në lexim të dytë miratoi edhe projektligjin për mbështetjen e punëve publike dhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për noterinë.