Kuvendi miraton projekt kodin e procedurës penale që parasheh suspendimin e zyrtarëve publikë me aktakuza

Kuvendi miraton Projekt kodin i procedurës penale parasheh suspendimin e zyrtarëve publik me aktakuza

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projekt-kodin e Procedurës Penale që parasheh suspendimin e zyrtarëve publikë ndaj të cilëve ka aktakuzë të ngritur.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se tek shqyrtimi i parë i Projekt-kodit të Procedurës Penale janë adresuar çështja e gjykimit në mungesë, mundësia e suspendimit të zyrtarit publik në rastin e aktakuzës.

“Suspendimi i zyrtarëve publik nga detyra ka për qëllim që të parandalohet keqpërdorimi eventual duke ushtruar funksione dhe njësisht duke u përballur me akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Haxhiu.

Ministrja ka përmendur edhe ndryshimet për gjykimin në mungesë.

“Disa nga ndryshimet më substanciale janë gjykimi në mungesë. Është shtuar neni i ri i cili përcakton që nëse i pandehuri vullnetarisht dështon të paraqitet në seancë gjyqësore pasi të jetë informuar për datën nuk duhet të lejohet të vonoj procedurën. Në ato raste kur prokurori nuk mund të gjej një të pandehur pas përpjekjeve të arsyeshme gjykimi duhet të jetë në gjendje të mbahet sipas rrethanave të përcaktuara në nenin e propozuar”, tha Haxhiu duke shtuar se këtu bëhet një dallim për gjykimin në mungesë për veprat e tjera përjashtuar ato që kanë të bëjnë me krimet e luftës për të cilat jo domosdoshmërish i pandehuri duhet të jetë në seancën e parë apo seancën fillestare.

Ardian Kastrati deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës ka reaguar për këtë pikë duke thënë se këto propozime janë të njëjtat që nga viti 2019 dhe të cilat nuk i kanë votuar Lëvizja Vetëvendosje.

“Si është e mundshme që tani këtij karvani po i prin një strukturë politike ta zëmë kur vije puna për suspendimin e zyrtarëve që i vihet aktakuzë ,e cila në fakt struktura politike nuk i ka votu të njëjtat propozime që kanë qenë në 2019. Këta sikur paskan projektuar se që nga ajo kohë deri sot ka me pas  një seri të aktakuzave madje edhe të dënuar për vepra penale duke filluar nga kryeministri i tyre nga ministrja e disa deputet këtu që kanë procese e aktakuza të ngritura për korrupsion”, tha Kastrati.

Kastrati tha se këto ndryshime janë propozuar moti.

“Ju që nuk keni këtë sens e keni kall ktuhen me mollotova, nuk mund të jeni kredibil për këtë. Nuk besoj që ju mundeni me qenë lider në këtë sens se ju keni qenë maja e mashtrimit dhe kulmi i paturpësisë në aspektin me drejtësinë. Nëse e keni bo këtë që t’i merrni disa vota, ju e keni pa të dielën se elektorati nuk i han më përrallat qengji dhe ujku”, tha ai.

E ministrja Haxhiu, tha se nuk merret me “sojin” e deputetit Kastrati.

“Me ty nuk ja vlen as mu marrë, nuk humbi kohë të merrem me tym fatkeqësi qysh një deputet i tillë i thotë vetit deputet i Republikës së Kosovës”, tha ajo.

E Kastrati i tha Haxhiut që e kishte rastin që të duket e njerëzishme dhe të kërkoj falje për dhunimin e institucionit të Kuvendit.

“Çka i ke bo këtu me gaz lotsjellës dhe me shfrytëzuar rastin me kërku falje kur i ke quajt kriminel njerëzit në këtë parlament, ju ke shqetësu familjet e tyre, ti zgjodhe me dal e ditur. Sa je e ditur vendos natyra jo ti”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dy projektligje tjera që janë propozuar nga Ministria e Drejtësisë me përkrahjen e grupeve parlamentare Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale dhe Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile.