Arkiv - Kuvendi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Kuvendi miraton Planin Hapësinor për 'Bjeshkët e Nemuna'

Me 65 vota pro, asnjë kundër dhe tetë abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Plani është miratuar bashkë me ndryshimet e propozuara nga ana e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

Ministri i i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë prezantimit të planit ka thënë se qëllimet kryesore të tj janë futja nën kontroll e zhvillimeve dhe zvogëlimin në maksimum të veprimeve abuzuese me mjedisin.

“Ndërtimet aktualisht janë më tepër se 6,200 objekte shumica dërrmuese e tyre janë pa leje. Qëllimet kyesore të planit janë futja nën kontroll e zhvillimeve dhe zvogëlimin në maksimum të veprimeve abuzuese me mjedisin. Aktualisht në mungesë të planit, ndërtimet pa leje janë nën aryestimin se nuk ka procedurë formale për marrjen e lejes së ndërtimit”- ka deklaruar ministri.

Aliu ka thënë se gjendja aktuale e parkut është pa zona të definura.

“Gjendja aktuale e parkut është pa zona të definuara, me këtë plan janë të përcaktuara zonat sipas kriterit të mbrojtjes së mjedisit në kuadër të cilave janë definuar edhe zonat strikte. Plani do ta bëjë më të lehtë dhe fikas mbrojtjen e tyre”- tha Aliu.

Në dëgjimin publik të cilin e ka organizuar Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim, në janar të këtij viti shumë prej pjesëmarrësve aty kishin shprehur kundërshtitë e tyre rreth përmbajtjes së këtij draft-plani të propozuar nga Ministria.

Banorët patën treguar shqetësimet e tyre kundrejt drafit për planin hapësinor, sipas tyre me qëllim mbrojtjen e pronave të tyre private dhe ndryshimin e ligjit që e parasheh zonën të shndërrohet në park nacional.

Ndër kërkesat e tyre ishte që ‘Rugova’ të shndërrohet në komunë si dhe parku nacional të mos bëhet, por pronat private të iu përkasin pronarëve.

Rugovasit, kundërshtojnë Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’