Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi miraton në parim Projektligjin për Prokurorinë Speciale

Me 69 vota pro, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për Prokurorinë Speciale.

Mbështetje këtij Projektligji i kanë dhënë të gjitha subjektet politike në Kuvend.

Ky Projektligj ka për qëllim të rregullojë mënyrën e funksionimit të Prokurorisë Speciale si një organ prokurorial i përhershëm dhe i specializuar që vepron në kuadër të Prokurorit të Shtetit, përgjegjëse dhe e autorizuar për hetimin dhe ndjekjen e veprave të caktuara penale.

Projektligji për Prokurorinë Speciale është miratuar në mbledhjen e Qeverisë në shtator të këtij viti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se më këtë Projektligj synojnë avancimin e mëtejshëm të legjislacionit për Prokurorinë Speciale.

“Është rregulluar bashkëpunimi i Prokurorisë Speciale me institucionet e tjera, veçanërisht me Policinë e Kosovës” – tha ajo.

Haxhiu shtoi se kanë paraparë ekipe të përbashkëta të hetimit në raste më të ndjeshme dhe më të ndërlikuara nga ana e prokurorisë dhe policisë.