Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi miraton në parim Projektligjin për paga

Me 68 vota për, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për paga në sektorin publik.

Në votimin e këtij projektligji kanë marrë pjesë 68 deputetë dhe të gjithë kanë qenë për.

Prezantimin e projektligjit para deputetëve e ka bërë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se me të zvogëlohet hendeku mes pagës më të ulët dhe më të lartë në vend.

“Presidentja është kreu i shtetit dhe mban koeficientin me të lartë, kryetarja e gjykatës kushtetuese është vendosur në mes të presidentes dhe përfaqësuesit të pushteteve dhe ka koeficient të veçantë nga pozitat tjera, më tutje është respektuar parimi i privatësisë”-ka thënë ai

Zyrtarisht ende nuk dihet sa është koeficienti.

Opozita edhe pse i ka dhënë mbështetje këtij projektligji, megjithatë ka kërkuar që të bëhen ndryshime në mes dy leximeve.

Drafti i Ligjit për paga në sektorin publik, i miratuar javën në kaluar në Qeveri, parasheh që ky ligj të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20. Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin. Që nga ajo kohë më nuk është prezantuar ndonjë draft apo propozim tjetër nga qeveria.

Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.