Kuvendi miraton në parim projektligjin për Byronë Shtetërore

Me 58 vota për dhe tre abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“61 deputetë kanë marrë pjesë në votim, 58 vota janë për, ndërsa tre deputetë kanë abstenuar”, ka konstatuar kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Konjufca gjithashtu abstenoi në votimin e projektligjit për byronë shtetërore.

Ai ka thënë se pasi i ka lexuar opinionet e komisionit të Venecias dhe pasi vet ai e ka dërguar për vlerësim këtë projektligj, ka abstenuar dhe do të abstenoj duke shtuar se do të pres deri në përfshirjen e opinioneve në lexim të dytë.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e javës së kaluar nuk ka pasur kuorum për të kaluar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Votimi i projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme ishte shtyrë në seancën e Kuvendit e cila ishte mbajtur në shkurt të këtij viti, për një afat të pa caktuar, deri në kthimin e përgjigjes nga Komisioni i Venedikut.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca me kërkesë të opozitës pati thënë se do t’i drejtohet Komisionit të Venedikut për këtë projektligj.