Kuvendi miraton Ligjin për zyrtarët publikë

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për zyrtarët publikë.

62 deputetë kanë marrë pjesë në votimin e këtij ligji, prej tyre 58 kanë votuar për, dhe katër kanë abstenuar.

Vota kundër nuk ka pasur ndërsa tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në votim.

Deputetët opozitarë janë deklaruar kundër disa neneve të këtij projektligji.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se ky projektligj cenon punën e administratës publike.

Ai ka thënë se përmes këtij projektligji devijohet puna e shërbimit civil.

“Kemi shprehë shqetësimin tonë edhe në leximin e parë. Ne e konsiderojmë që ky projektligj shihet se do të votohet nga kjo mazhorancë e cenon në thelb punën e administratës publike. Pra e dëmton jashtëzakonisht shumë dhe kemi marrë vërejtje edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë. Ky ligj të cilin sot po e miratoni do ta devijoj punën e mirë të shërbimit civil”- ka thënë Tahiri.

Ndërsa, Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj ka kërkuar nga pozita që të reflektojë edhe një herë para se të miratojnë Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke thënë se më pas do detyrohet që të njëjtin ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Selmanaj e ka cilësuar këtë ligj si një ndër veprimet më shkatërruese për administratën e shtetit.

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se me Ligjin e propozuar për zyrtarë publikë, në thelb po varroset meritokracia në punësim publik.

“Për mua kjo është goditja më e madhe qe i jepet sistemit. Ky ligj juve sot do t’iu vendosë në pozitën më të keqe, sot jeni ju, nesër jemi ne. Secili i dyti shqiptar nuk ka votu për Qeverinë tuaj që ta marrë një vendim që e kthen kryesinë e partisë shef të rekrutimit”- ka thënë ai.

Javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozimin që shqyrtimi i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjit për Paga të bëhet me shmangie nga afatet procedurale të parapara sipas rregullores.

Me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për këtë mocion Kuvendi ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme. Pro këtij propozimi votuan 64 deputetë, ndërsa nuk pati vota kundër, as abstenime.

Ky ligj ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.