Kuvendi miraton Ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Ky ligj u miratua në seancën e sotme plenare të Kuvendit, më 05.12.2024, me 61 vota për.

“61 vota për, zero vota kundër, zero abstenime, konstatoj se Kuvendi e miraton Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor” – tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Qeveria e Kosovës kishte miratuar këtë Projektligji më 28.08.2024.

KALLXO.com kishte raportuar se ndryshe nga deklarimi i 27.08.2024 i kryeministrit Albin Kurti, i cili e minimizonte rolin e sigurimeve shëndetësore duke thënë se qytetarët veçse paguajnë pak ose shumë pak për shumicën e shërbimeve shëndetësore e se ato nuk parandalojnë ose eliminojnë sëmundje, gjatë miratimit Kurti kishte thënë se ky ligj do të kontribuojë në ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve duke ulur varfërinë dhe pabarazitë e shkaktuara nga shpenzimet shëndetësore.

“Synimi ynë është që të investojmë në shërbime shëndetësore dhe të garantojmë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe të jetësohet një gjë e tillë me miratimin e projektligjit për sigurimin shëndetësor” – kishte thënë shefi i ekzekutivit.

Qeveria miraton projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor