Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi miraton Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 60 vota për kanë miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Të pranishëm gjatë votimit të këtë Ligji në sallë ishin 68 deputetë.

“Me 60 vota për, dy vota kundër dhe asnjë abstenim ka kaluar projektligji për Mbrojtjen e Konkurrencës”, ka konstatuar Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Sot, para shqyrtimit të dytë të projektligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës , Kuvendi ka miratuar 47 amendamentet e këtij projektligji.

Bazuar në memorandumin shpjegues, me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përcaktohen rregullat dhe masat për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, kompetencat, organizimi i Autoritetit Kosovar të konkurrencës si dhe procedurat në zbatim të këtij ligji.

Ky ligj zbatohet për të gjitha format e parandalimit, kufizimit ose keqpërdorimit të konkurrencës nga ndërmarrjet, në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit të Kosovës, nëse këto veprime kanë efekte në Kosovë: Marrëveshjet e ndaluara në formën e karteleve; Abuzimi me pozitën dominuese; Përqendrimet/Bashkimet e ndërmarrjeve.

Në rend dite në seancën e ditës së sotme është edhe emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.