Kuvendi miraton kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për taksat vjetore për vitin 2020

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksës investive prej 0.33 për qind dhe taksës operacionale prej 0.065 për qind për vitin 2020.

Kjo pikë e rendit të ditës u miratua me 73 vota për, pa vota kundër dhe pa asnjë abstenim.

Hekuran Murati i Lëvizjes Vetëvendosje tha se kursimet shkojnë diku rreth 600 mijë euro.

“Kërkesat kanë qenë në vijë me synimet si legjislaturë dhe si mandat qeverisës në të kaluarën dhe kudo që ka mundësi të shkurtohen shpenzimet e panevojshme të bëhen ato”, tha Murati.

Shkelzën Hajdini në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se në emër të partisë aprovojnë kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

“Ky rekomandim reflekton kursim në shpenzimeve në vlerë 570 mijë euro”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi tha se vota e tyre do të jetë për miratimin e kësaj pike të rendit të ditës.

Kurse, deputetja nga AAK-ja, Teuta Haxhiu tha se edhe grupi i tyre parlamnetar e përkrahë kërkesën në fjalë.

Sipas kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, Lista Serbe nuk e ka kërkuar fjalën, kurse as nga Nisma nuk është lajmëruar asnjë deputet.