Kuvendi miratoi Rezolutën për mbështjetje ndaj Ukrainës

Me 94 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për mbështetjen e Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka prezantuar Rezolutën për të cilën janë dakorduar të gjitha grupet parlamentare.

“Duke i njohur vuajtjet e sakrificat e luftës, i japim mbështetje të plotë Ukrainës, institucioneve demokratike të cilat po e mbrojnë atdheun e tyre”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka thënë se Rezoluta bazohet në Kushtetutën e Kosovës si dhe në rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

“Duke e marrë parasysh vullnetin e fortë të popullit të Kosovës dhe konsensusin politik e shoqëror për integrim  Euro Altlantik të Kosovës. Në funksion të paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Kuvendi i Republikës së Kosovës në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës dhe rregullores së Kuvendit, me propozim të grupeve parlamentare nënshkruese e miraton këtë Rezolutë”, ka njoftuar ai.

Rezoluta e miratuar përmban këto pika:

  1. Kuvendi i Republikë së Kosovës e dënon në mënyrë të ashpër agresionin dhe invazionin e paligjshëm, të pa provokuar dhe të pa justifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion;
  2. Kuvendi i Republikë së Kosovës renditet krahas aleatëve perëndimorë në mbështetje të Ukrainës dhe të popullit të saj si dhe kundërshton fuqishëm qasjen dhe sjelljen e pak vendeve të rreshtuara krah agresionit dhe terrorit rus ndaj Ukrainës nisur nga fqinji ynë verior Seribia;
  3. Kuvendi i Republikë së Kosovës e mbështetë popullin dhe institucionet e Ukrainës si dhe e dënon vrasjen e civilëve dhe të fëmijëve, gjithashtu përshëndesim fillimin e hetimeve nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe mbështesim dërgimin e rastit nga Ukraina në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë;
  4. Kuvendi i Republikë së Kosovës e mbështetë vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj Federatës ruse, në linjë me sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet demokratike;
  5. Kuvendi i Republikë së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që krahas gatishmërisë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, t’i koordinojë të gjitha veprimet e mëtejshme me partnerët ndërkombëtar si dhe të shprehë gatishmërinë edhe për strehimin eventual të deri 5000 refugjatëve nga Ukraina;
  6. Kuvendi i Republikë së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ndajë një fond të veçantë për ndihmë ndaj popullit ukrainas, sipas koordinimit ndërmjet dy Qeverive respektive, Kosovës dhe Ukrainës;
  7. Kuvendi i Republikë së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në koordinim me partnerët ndërkombëtar të ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim të Republikës së Kosovës në NATO, Bashkim Evropian, Këshill Evropian dhe organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare;
  8. Kuvendi i Republikë së Kosovës i bën thirrje NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshill të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, ta shqyrtojë kërkesën dhe të konsiderojnë rëndësinë për anëtarësimin në to të Republikës sonë;
  9. Kuvendi i Republikë së Kosovës ju bën thirrje vendeve të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës sonë që në harmoni me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ta ndërmarrin sa më parë këtë akt politik, pra njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran e që është edhe në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në BE;
  10. Kuvendi i Republikë së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që në konsultim me misionin e NATO-s në Kosovë ta rishikojë dhe të shkurtojë afatet e parapara të planit 10 vjeçar të vitit 2018 për avancimin e FSK-së në ushtri të rregullt, përfshirë këtu edhe sigurimin, mbështetjen financiare të nevojshme për këtë qëllim;
  11. Kuvendi i Republikë së Kosovës e udhëzon Kryetarin e Kuvendit që në koordinim me Qeverinë dhe partnerët ndërkombëtarë t’i drejtohen institucioneve më të larta shtetërore të Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros me kërkesën për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës sa më parë duke dhënë kështu kontribut në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në BE;
  12. Kuvendi i Republikë së Kosovës duke e marrë parasysh aspiratat tona të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe konosolidimin e demokracisë dhe sigurisë në rajon e fton Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut atë të Malit të Zi si dhe Parlamentin e Bosnjës dhe Hercegovinës të bashkohen në këtë nismë dhe t’i shprehin asaj mbështetje.

Teksa ka nisur java e dytë të pushtimit rus në Ukrainë, Rusia i ka intensifikuar sulmet e saj në qytetet kryesore të Ukrainës – me luftime që po vazhdojnë pothuajse në pjesën më të madhe të territorit të Ukrainës.

Dita e tetë e ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë