Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi miratoi rezolutën e LVV-së për adresimin e rritjes së çmimeve

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e Lëvizjes Vetëvendosje për adresimin e rritjes së çmimeve.

Kuvendi dje nuk pati kuorum që të votojë për rezolutën e Lëvizjes Vetëvendosje për adresimin e rritjes së çmimeve.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, konstatoi se vetëm 52 deputetë kanë votuar për këtë rezolutë.

Rezoluta e njëjtë nuk kishte pasur kuorum që të votohet as më 21 korrik të këtij viti.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ajo çfarë LVV po propozon përmes rezolutës është dhënia e mundësisë së vlerësimit real të shpenzimeve dhe çmimeve të produkteve të importuara dhe atyre të prodhuara në vend.

“Duke i njohur prodhuesve dhe importuesve shpenzime dhe fitimin, por duke siguruar se në asnjë mënyrë nuk do të krijohen hapësira për një pozitë dominuese apo abuzuese, që sjellin fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve. Në situatën e krizës së inflacionit, e cila nuk ka kursyer as ekonomitë të mëdha, dizajnimi i pakos për mbrojtjen e qytetarëve nga ndikimi i lartë do të varet nga specifikat e ekonomisë së vendit”, tha Kusari-Lila.

Kundër kësaj rezolute janë deklaruar partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK.