Seanca e Kuvendit më 11 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Kuvendi miratoi plotësim-ndryshimin e Ligjit për Automjete i cili i hap rrugë konkurencës për homologimin e automjeteve

Me 70 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi e miratoi plotësim-ndryshimin e Ligjit për Automjete.

Ushtruesja e detyrës së shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të përkrahin plotësim ndryshimin e Ligjit për Automjete.

Kusari- Lila tha se ky propozim është për herë të dytë ne Kuvend dhe po bëhet pasi që vetëm një kompani e ka eksluzivitetin për homologim të automjeteve.

“Propozimi ka ardhur për herë të dytë në Kuvend pas mos mbështetje, në këtë legjislaturë kemi marrë iniciativën për të korrigjuar prej vitit 2009 edhe në fillim kur është dhënë është theksuar se një kompanie ky autorizim i ka siguruar eksluzivitetin në kundërshtim me rregullat konkurrencës së lirë të tregut”, tha ajo.

Sipas saj, projektligji ka kaluar në të gjitha fazat dhe ka vetëm katër nene që përcakton ndryshimet e bëra.

Besian Mustafa deputet i LDK-së tha se kjo parti edhe vitin e kaluar edhe këtë vit e përkrahin iniciativën për ndryshimin e këtij projektligji.

“Kjo rregullon një fushë mjaftë të rëndësishmme për sigurinë në trafik dhe mbi të gjitha ulë koston financiar dhe barrën administrative që rëndon mbi qytetarët tanë. Andaj kërkojmë që të jetë pjesë e një reforme më thelbësorë në këtë fushë dhe kërkojmë që të përfshihen edhe largimi i monopolit të qendrave të kontrollit teknik dhe akzica e importit”, tha Mustafa.

Kurse, Mërgim Lushtaku nga PDK tha se të bëhet ndryshimi i këtij projektligji në tërësi dhe jo vetëm në disa pika.

“Dua të ngris zërin edhe për shumë çështje tjera dhe ky ligj do të vjen në shqyrtim, por mendoj se jo vetëm çështjen e ngritur nga deputetët duhet ndryshuar por , janë edhe disa pika tjera për ndryshim”, tha ai.

Edhe nga grupi parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri tha se e përkrahin këtë iniciativë.

“AAK e mbështet plotësim ndryshimin e këtij ligji në parim dhe do të japim kontributin tonë”, tha Tahiri.