Kuvendi miratoi në parim ndryshim-plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial

Me 63 vota për dhe 16 kundër, Kuvendi e ka miratuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e kishte paraqitur para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për KPK-në seancën e 7 prillit.

Ajo ka thënë se me miratimin e plotësim-ndryshimeve të reja, ky Këshill do të ketë përbërje të re.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë një përbërje të re, me prokurorë dhe joprokurorë. Por, proporcioni, apo dallimi në numra në mes të anëtarëve prokurorë dhe atyre joprokurorë do të jetë një. Fillimisht përbërja e re do të ketë dy anëtarë nga prokuroritë themelore, qoftë nga Prokuroria e Apelit apo Speciale dhe Kryeprokurorin e Shtetit sipas detyrës zyrtare. Ashtu siç e thonë Kushtetuta, Kuvendi pas këtij plotësim ndryshimi ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë joprokurorë, ndërsa risia kryesore është caktimi i një antari të ri nga Avokati i Populllit në konsultim me organizatat civile”, kishte shpjeguar Haxhiu.

Ajo kishte kritikuar përbërjen aktuale të Këshillit Prokurorial, për të cilin ajo tha se ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit dhe politika.

“Këshilli Prokurorial ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit, por edhe politika. Të gjithë jemi dëshmitarë se përkundër skandaleve që kemi parë publikisht nuk janë ndërmarrë veprime serioze për adresimin e tyre”, ka theksuar Haxhiu.

Haxhiu shtoi se për këtë Projektligj ka marrë dy opinione pozitive nga Komisioni i Venecias.

Ndërkaq në seancë, me 21 vota për, asnjë kundër dhe 63 abstenime nuk ka kaluar rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rritjen e çmimeve nga debati parlamentar i datës 15 mars.

Kuvendi pa kuorum, nuk kalon Ligji për Këshillin Prokurorial