Kuvendi miratoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për linjën Durrës- Prishtinë

Me 83 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën hekurudhore Durrës- Prishtinë.

Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se kjo marrëveshje ka për qëllim përcaktimin e procedurave dhe ndarjen e kostove ndërmjet dy vendeve.

“Kjo marrëveshje bashkëfinancimi ka për qëllim përcaktimin e procedurave dhe ndarjen e kostove ndërmjet dy vendeve për financim për studimin e fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën e hekurudhore, Durrës- Prishtinë”, ka deklaruar Aliu.

Sipas Aliut, kostoja totale për realizimin e kësaj marrëveshje parashihet të jetë afro 2 milionë euro.

“Kosto totale për realizimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashihet të jetë rreth 1 milionë e 980 mijë euro. Ministria e Infrastrkuturës dhe e Energjisë së Shqipërisë do të ndaj shumën prej 1 milionë eurove ndërsa MMPHI e Kosovës do të ndajë shumën prej 980 mijë euro“, ka thënë Aliu.

Ky projektligj u fut në rendin e ditës në seancën e sotme plenare përmes një mocioni procedural i cili u mbështetë nga të gjitha partitë.

Miratimi i këtij ligji gjithashtu mori edhe mbështetjen e partive opozitare.