Kuvendi miratoi dy marrëveshje ndërkombëtare

Më 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes së bashkëfinancimit për Projektin “ Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (dalëse) VI’, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se ky amandementim mundëson zgjerimin e  shërbimeve të zbatuesit në mënyrë që të lejohen një përfundim i ndërhyrjeve të planifikuara kryesisht për zbatimin e punëve në infrastrukturë.

“Gjithashtu do të realizohet ndërtimi i sistemeve të reja dhe të përditësuara rurale të ujit në komunat e Kosovës të cilat pastaj mund të integrohen në menaxhimin e kompanive rajonale të ujësjellësit përkatëse. Kjo do të mundësoj që qytetarët në zonat e mbështetura të përfitojnë nga qasja universale në furnizim me ujë të sigurt dhe shërbime të kanalizimit”, ka thënë Murati.

Me qenë se grupet parlamentare e mbështetën pa dallim marrëveshjen e bashkëfinancimit për Projektin “ Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (dalëse) VI’, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, në sallë ishin vetëm 76 deputetë.

Glauk Konjufca kryetar i Kuvendit tha se është dëshpëruese sepse seancën e filluan me 82 deputetë .

“Të shpresojmë që nuk është fenomeni i shëmtuar të vijnë dhe të nënshkruajnë vetëm për mëditje”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa me 82 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financim shtesë”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim

Ministri Murati e ka prezantuar këtë Projektligj dhe tha se kjo marrëveshje e kap vlerën totale prej 15 mijë euro dhe vjen si vazhdimësi e marrëveshjes bazë.

Marrëveshja bazë kishte vlerën 46 milion euro.

Përmes kësaj marrëveshje synohet të mbështetet sektori publik shëndetësor.