Kryesia e Kuvendit, Foto: Kuvendi i Kosovës

Kuvendi me seancë në kohë pandemie, IKShP thirret të krijojë kushte

Kuvendi Kosovës, të martën, më 14 prill 2020, në orën 11:00, do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputetëve nënshkrues.

Përmes një njoftimi pas mbledhjes së Kryesisë, Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se për mbajtjen e seancës do të sigurohen kushte sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të COVID-19.

Në këtë seancë, pikë e rendit të ditës do të jetë “propozimi dhe miratimi i masave konkrete ekonomike e financiare që duhet t’i ndërmerr Republika e Kosovës për të tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike në adresimin e pasojave të pandemisë së Corona Virusit ‘Covid 19’, me qëllim të përballimit sa më të suksesshëm të pasojave e shkaktuara (aktuale dhe të ardhshme), në drejtim të parandalimit të krizës eventuale ekonomike, zvogëlimit të humbjeve ekonomike dhe ofrimin e mbështetjes së domosdoshme veçanërisht për sektorin privat në Kosovë”.

Kuvendi tutje ka njoftuar se sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, datë 6 prill 2020, që ka të bëjë me ndërmarrjen e masave lidhur me situatën pandemike, Kryesia ngarkoi Komisionin për Legjislacion Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, që të trajtojë, identifikojë dhe t’i propozojë Kuvendit masat e duhura.

Seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës ishte mbajtur me 25 mars ku edhe u votua rrëzimi i qeverisë.