Foto: KALLXO.com

Kuvendi mbyll punimet, pasi mungonte Kurti e opozita lëshoi sallën

Pasi opozita e lëshoi sallën për shkak të largimit nga Kuvendi të kryeministrit Albin Kurti, seanca ka përfunduar. Deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutonin pikën 4 të rendit të ditës, e cila kishte të bënte me diskutim rreth ecurisë së deritanishme të procesit të dialogut me Serbinë.

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës u karakterizua me përplasje mes pozitës dhe opozitës, në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë, që pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme.

Kryeministri Albin Kurti ka komentuar deklaratat e partive opozitare në lidhje me siç ka thënë ai “parullat politike”.

Ai i ka kërkuar deputetëve opozitarë që të heqin dorë nga parullat për antiamerikanizëm.

“Ju lus të hiqni dorë nga parullat për antiamerikanizmin tonë. Më keni rrëzuar me ato parulla. E kam një lutje në fund për ju, mos më rrëzoni edhe njëherë se mandej……. Ju faleminderit!”, tha Kurti para deputetëve.

Ndërsa ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj teksa ka folur për pozicionin e kryeministrit Albin Kurti në dialogun me Serbinë, ka thënë se Kurti po do “mjegull” në këtë proces porse kjo do të kuptohet pas takimit të së martës në Bruksel.

Në fund të kësaj seance, kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se seanca vazhdon të hënën në ora 10:00, me pikat e mbetura të rendit të ditës, e të cilat janë: Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare; Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-057 për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; dhe Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020.

Kurti ironizon me opozitën: Mos më rrëzoni…