Kuvendi mblidhet të martën në një seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të martën e javës së ardhshme në një seancë të jashtëzakonshme, nga ora 11:00, të thirrur nga PDK-ja e cila ka propozuar një pako emergjente për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi.

Memli Krasniqi nga PDK-ja pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se presin që propozimi i tyre të përkrahet nga partitë politike parlamnentare.

“Qëndrimi ynë si PDK ishte që ne nuk mund të humbin kohë dhe të martën në këtë seancë të gjejmë rrugëdalje në mënyrë që të kemi një vendimmarrje të përbashkët. Ne kemi propozuar një draft-rezolutë dhe kemi nisur dy nisma legjislative. Njëra ka të bëjë me plotësim-ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive dhe një ligj të veçantë për masat që duhen ndërmarrë në lidhje me pandeminë”, tha ai.

PDK ka propozuar të miratohet një pako emergjente në vlerë prej 320 milionë euro për të ndihmuar bizneset, punëtorët e sektorit privat dhe të tjera kategori të prekura nga situata me COVID-19.