Kuvendi i Kosovës. 12.09.2024

Kuvendi mblidhet këtë javë, s'pritet të themelohen komisione të reja hetimore

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca plenare e radhës të mbahet të enjten, më 26.09.2024, me fillim nga ora 10:00.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se në rendin e ditës janë 28 pika.

“Në seancën e radhës janë tri marrëveshje ndërkombëtare dhe një mori të shqyrtimit të projektligjeve në lexim të dytë dhe disa votime të projektligjeve në lexim të parë. Janë në total 28 pika për shqyrtim” – ka thënë Kusari – Lila para gazetarëve.

Kusari-Lila, ka njoftuar se në sesionin vjeshtor nuk ka kohë që të formohen komisione të reja hetimore, për shkak se pas disa muajve do të përfundojë mandati i kësaj legjislature.

Me Ligjin për hetim parlamentar është e përcaktuar që “Komisioni [hetimor] nuk mund të themelohet gjatë gjashtë muajve të fundit të një mandati të Kuvendit”.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025.