Kuvendi mban seancë të enjten

Kryesia e Kuvendit më mbledhjen e sotme ka konfirmuar se seanca e re do të mbahet këtë të enjte në orën 10:00.

Kështu njoftoi shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Për pikat e pa votuara, Kusari-Lila tha se sipas rregullores së re të Kuvendit, pikat për të cilat nuk ka kuorum kur hedhen në votim kalojnë si pika të para në seancën e rregullt.

Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar të Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka shprehur pakënaqësinë e tij për mungesën e kuorumit në mbledhjen e Kryesisë.

“Është hera e 6-të që ne dalim në konferencë për shtyp pas mbledhjes së Kryesisë dhe s’kemi çka me thënë sepse nuk ka kuorum dhe s’ka proces të vendimmarrjes. Kjo situatë është e papranueshme dhe fatkeqësisht po bie në linjë edhe me vlerësimin që na ka dhënë Bashkimi Evropian”- tha Tahiri.

“Kam folur për ligjet vitale të cilat nuk po vijnë në Kuvend, një ndër ta është edhe Ligji i Pagave, i cili po shtyhet me të vetmin qëllim për mos me hy në zbatim në janar të vitit të ardhshëm”- shtoi ai.

Ndërkaq shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka folur në lidhje me çështjen e targave.

Ai ka thënë se çfarëdo veprimi të cilin e ndërmerr Qeveria për çështjen e targave e që respekton sovranitetin e vendit dhe është në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka përkrahjen e partisë së tij.

“Secili veprim i Qeverisë së Kosovës që do të ndërmerret në raport me Serbinë, padyshim që është shumë e rëndësishme që të koordinohet me ShBA-në, mirëpo më e rëndësishmja është që ky koordinim të rezultojë me respektimin e sovranitetin e Kosovës. Nuk mund të lejohet pafundësisht shfrytëzimi i targave të tilla dhe besoj që çfarëdo veprimi të cilin e ndërmerr qeveria e Kosovës e që respekton sovranitetin e vendit tonë edhe në atë pjesë të Kosovës, padyshim që do ta ketë përkrahjen e PDK-së ”- u shpreh Tahiri.