Kuvendi i Kosovës, 12 prill 2022/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi mban seancë të enjten, në rend dite shqyrtimi i tri projektligjeve

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten për të mbajtur seancën e re plenare.

Në rend dite të kësaj seance përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohen në parim edhe tri projektligje.

“Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, Projektligjit për Anti-Dopingun dhe atij për edukimin në fëmijërinë e hershme” – ka njoftuar drejtoria për media e Kuvendit.

Po ashtu, në këtë seancë pritet edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Sipas njoftimi, pas përfundimit të seancës së re, Kuvendi do t’u rikthehet shqyrtimit të pikave nga seancat e papërfunduara.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.

Përveç Partisë Demokratike të Kosovës, grupet tjera parlamentare nuk janë deklaruar për media pas mbledhjes së Kryesisë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Qeveria dhe sindikatat duhet të bëjnë një zgjidhje të përkohshme për çështjen e grevës në Kosovë.