Kuvendi mban seancë më 28 prill, opozita insiston në formimin e komisionit hetimor për energjinë
Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 28 prill. Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme.
Në këtë mbledhje, temë kyçe ka qenë kërkesa e opozitës që të formohet Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e partive opozitare, pas mbledhjes së Kryesisë kanë thënë se nuk do të zmbrapsen nga kërkesa e tyre për themelimin e Komisionit.
Sipas tyre, menjëherë pas deklarimeve jashtë rendit dhe pyetjeve parlamentare, në Kuvend do të trajtohet çështja e formimit të komisionit.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se pikë shtesë e rendit të ditës është votimi i kërkesës së opozitës për themelimin e Komisionit hetimor.
Ajo mohoi se ka pasur tensione në mbledhjen e Kryesisë kur është diskutuar në lidhje me komisionin hetimor, duke shtuar se kanë pasur debat përmbajtjesor.
“Ekzistojnë dy forma që mund të procedohet tutje hetimi parlamentar, me kërkesën e tash 40 deputetëve.
E para është që mund të tërhiqen nënshkrimet e njërit grupi parlamentar, në këtë rast i vetmi me nënshkrime më pak është grupi parlamentar i AAK-së, dhe të merren nënshkrimet e një grupi tjetër parlamentar që vetë tashmë është nënshkrues. Apo edhe të tërhiqet komplet ajo kërkesë dhe të procedohet i njërit grup parlamentar të opozitës dhe të votohet në atë përmbajtje”, tha ajo.
Sipas saj, në formacioni aktual nga të gjitha grupet bllokohet formimi i mëtutjeshëm se nuk ka grup parlamentar që mund të udhëheqë sipas ligjit me Komisionin hetimor.
Kusari-Lila ka shtuar se në seancën e ardhshme do të mbahet edhe debat parlamentar për punën 1-vjeçare të qeverisë.
Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se diskutimi kryesor në mbledhje, ishte rreth Komisionit hetimor për energjinë.
“Kërkesa për një komision është bërë nga PDK dhe nënshkrues të kësaj kërkese janë deputetët. Në disa raste ka pas deputetë që nuk e kanë mbështetë. Është e habitshme dhe zgjon kureshtje që cila është arsyeja që LVV e kundërshton, çka janë duke fshehur”, tha ai.
Tahiri shtoi se është e pakuptimtë pse po refuzohet të themelohet ky komision. “Në seancë do të vendosim kërkesën, nuk do të tërhiqemi”, tha ai.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se për dy orë në këtë mbledhje diskutuan për Komisionin hetimor.
“Kjo kërkesë e PDK nuk daton vetëm me kërkesën e fundit mirëpo e kemi pas edhe kërkesën më herët nga 6 deputetë. Kemi kërkuar bashkëpunim nga mazhoranca dhe kemi inicuar në fillim me 6 deputetë dhe na u është refuzuar nga pozita
Nuk ka ndodhë asnjëherë që pushteti të bllokojë formimin e një komisioni hetimor parlamentar. Inicues të kësaj komisioni është vetëm PDK, nga grupet tjera dhe kemi nënshkrime nga katër grupe”, tha ai.
Tahiri ka shtuar se nuk do të të pjesë në asnjë votim as në komision as në Kuvend deri në formimin e Komisionit hetimor.
Partitë parlamentare opozitare e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në votime në Kuvendin e Kosovës, me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Bojkotimi i votimeve në legjislativ u vendos nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pasi të martën në seancën e Kuvendit nuk u arrit që në rend të ditës të përfshihet formimi i Komisionit hetimor.