Kuvendi mban nesër seancë, shqyrtohet rezoluta e PDK-së për shkarkimin e Rozeta Hajdarit

Grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës janë dakorduar që pika e rendit të ditës “Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, të shtyhet për seancën e nesërme.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se nesër seanca do të fillojë me shqyrtimin e kësaj rezolute me fillim nga ora 10:00.

“Miratohet ky mocion i përbashkët i grupeve parlamentare që nesër pas punës së sotme, kudo që arrijmë, nesër të jetë seanca duke filluar me shqyrtim propozimin e rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”- ka njoftuar Konjufca.

Kjo rezolutë është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

PDK edhe në seancat e kaluara pati deklaruar se nuk votojnë për ligje që vijnë në Kuvend nga Ministria që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari pas dënimit të saj për mosdeklarim të pasurisë.

“Grupi jonë nuk mund ta mbështesë Ligjin sepse kemi të deponuar një draft-rezolutë për shkarkimin e ministres Hajdari. Nuk mund të mbështesim përkohësisht asnjë nismë ligjore që vjen nga ministrja e papërgjegjshme dhe e pakompetencë që bartë në vete edhe barrë dënimet e gjykatave” – kishte thënë Ferat Shala i PDK-së.

Gjykata në Prishtinë më 29 dhjetor 2022 ka gjetur fajtore ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, për mosdeklarim të pasurisë.

Të njëjtën Gjykata e ka dënuar me 700 euro dënim me gjobë, pasi që e njëjta e kishte pranuar fajësinë.

Prokuroria e akuzon Rozeta Hajdarin se në cilësinë e ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk e ka respektuar Ligjin dhe ka kryer veprën penale – mosraportim i pasurisë ose raportim i rremë i pasurisë.

Prokuroria pretendon se edhe pse ministrja ishte e njoftuar me kohë për detyrimin e deklarimit të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si ministre, e edhe pas shtyrjes së afatit nga Agjencia Kundër Korrupsionit për shkak të pandemisë, e njëjta përsëri nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë.

Kuvendi sot po zhvillon seancë me pika të papërfunduara nga seancat paraprake.

Rozeta Hajdari shpallet fajtore nga Gjykata për mosdeklarimin e pasurisë