Kuvendi mban dy seanca këtë javë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar mbajtjen e dy seancave, një të mërkurën dhe një të enjten.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha se seanca e ditës së mërkurë do të trajtojë pikat e papërfunduara ndërkaq ajo e së enjtes do të jetë e re.

“U miratuan mbajtja e dy seancave. Seanca e ditës së mërkurë do të trajtoj pikat e pa përfunduara nga seancat e kaluara dhe do të mblidhet në orën 12:00. Është caktuar seancë e re e kuvendit ditën e enjte më 2 shkurt ku në rend dite ka masat emergjente të energjisë, shkarkimi i bordit të komisionit për minierat dhe mineralet, etj”- deklaroi Kusari Lila.

Ndërkaq për takimin e nesërm të thirrur nga Ambasada amerikane për çështjen e asociacionit, deputetja Kusari- Lila tha se Qeveria nuk ka përplasje me SHBA-në dhe nuk ka pasur.

“Ambasada ka ftuar nga pozita ministra të dikastereve të veçanta qe konsiderojnë që mund të kontribuojnë për diskutimin. Asgjë nuk mund të bëhet nga dikush tjetër, ekzistojnë nisma qytetare por në aspektin e efektit ligjor janë institucionet e Kosovës”- shtoi ajo.

Ambasada amerikane në Kosovë, ka konfirmuar një takim të thirrur për të martën më 31 janar, me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një vështrim për Koha.net, ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”- kanë thënë ata.

Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.

Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij marrëveshja për asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.