Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi mban dy seanca këtë javë, të enjten në rend dite buxheti për vitin 2023

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të enjten, ndërsa të premten do të mbahet vazhdim i seancës me pikat e pa përfunduara nga seancat e kaluara.

Këtë njoftim pas mbledhje së Kryesisë e ka bërë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

“Të enjten mbahet seancë plenare dhe të premten vazhdim i pikave të pa përfunduara” – tha Rrustemi.

Sipas tij në Kryesi u orientuan edhe pikat e rendit për seancën e javës tjetër që pritet të mbahet më 24 nëntor.

“Të enjten do ta kemi vetëm Projektligjin për buxhetin vjetor për vitin e ardhshëm, dhe diskutime jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare” – tha ai.

Kurse të premten tregoi se do të ketë diskutim për gjendjen në shëndetësi dhe votimin e disa projektligjeve të mbetura.

Rrustemi u pyet se kur do të shkojë në Kuvend plani franko-gjerman, rreth dialogut Kosovë Serbi.

Rrustemi shtoi se ai plan është në diskutim mes qeverisë dhe përfaqësimit dhe emisarëve konkret dhe se nuk është në fazën e njoftimit të Kuvendit.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian ka pranuar përgjigjet e Kosovës dhe Serbisë rreth propozimit franko-gjerman, për marrëveshje mes të dyja paleve, drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Këtë e kishte konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.Ai ka thënë se BE tashmë është duke i shqyrtuar qëndrimet e të dyja palëve lidhur me këtë propozim.

BE konfirmon se kanë marrë qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë rreth propozimit franko-gjerman