Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, 13 shkurt 20223 - Foto: KALLXO.com

Kuvendi mban dy seanca këtë javë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka vendosur për mbajtjen e dy seancave këtë javë.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se të ejten do të mbahet një seancë e re, ndërkaq të premten do të mbahet seanca solemne për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit u dakordua që seancë e re të mbahet të ejten. Kuvendi do të mbajë seancë solemne për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës”-tha Kusari-Lila.

Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se tashmë po bëhen dy vite nga qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe sipas tij ka vetëm fjalë dhe jo punë.

“Kosova po zbraset përderisa Qeveria po mrizon dhe është vendosur në një balon për diskutim të dialogut. I humbëm dy vite, nesër bëhen dy vite nga firorja e LVV-së, për dy vite ka vetëm fjalë dhe nuk ka punë”- deklaroi Tahiri.

Sot nga ora 12:00, Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.