Kuvendi ktheu prapa propozimet e Odës së Avokatëve për anëtar të Këshillit Prokurorial

Pas raportimit të KALLXO.com, Kuvendi i Kosovës i ka kthyer pas propozimet e Odës së Avokatëve të Kosovës për anëtarë të Këshillit Prokurorial, duke kërkuar që propozimet të jenë në përputhje me opinionin e AKK-së.

Agjencioni Kundër Korrupsionit ka konstatuar se tre anëtarë të Këshillit Drejtues të OAK-së që kanë kandiduar për tu bërë për anëtarë të Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) janë në konflikt të interesit.

Aplikimi për këtë pozitë nga avokatët që janë anëtarë të Këshillit Drejtues të OAK është vlerësuar të paraqes në mënyrë të drejtpërdrejtë konflikt të interesit.

“Anëtarët e Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës nuk duhet të jenë kandidatë për anëtar të KPK-së, për faktin se anëtari i KPK-së nga radhët e OAK-së, përveç që zgjidhet nga Këshilli Drejtues edhe i raporton Këshillit Drejtues lidhur me angazhimet e tij në KPK”, thuhet në arsyetimin e opinionit të Agjencisë kundër Korrupsionit.

Sipas AKK-së është shfaqur situata e  konfliktit të interesit “rast për rast” për zyrtarët z.Hajrip Krasniqi, Osman Havolli dhe Vehbi Beqiri të gjithë anëtarë të Këshillit Drejtues të OAK-së, pasi që të njëjtit kanë marrë pjesë personalisht në diskutim, votim, vendim për rishpalljen e interesit dhe me pas kanë aplikuar për pozitën-anëtar i KPK-së.

Ndërkohë, zyrtarët Hajrip Krasniqi dhe Osman Havolli kanë shmangur situatën e konfliktit të interesit pasi që janë tërhequr nga kandidimi për anëtar të KPK-së.

AKK ka bërë të ditur se dy anëtarët e Këshillit Drejtues, Blerim Ademaj dhe Vehbi Krasniqi,  që të shmangin situatën e konfliktit të interesit nuk mjafton vetëm tërheqja e tyre nga vendimmarrja me rastin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtar të KPK-së nga Këshilli Drejtues, por duhet të tërhiqen nga kandidimi për këtë pozitë.

Meqenëse përzgjedhja e kandidateve nga radhët e OAK-së i propozohen kuvendit për zgjedhje, KALLXO.com ka marr një qëndrim nga kryetari i Komisionit për Legjislacion i Kuvendit, Shkëmb Manaj.

Manaj tregoi se ende nuk është ftuar komisioni për të bërë vlerësimin e shkresës së OAK-së dhe se pasi të pajisen me dosjen do të vendoset në pajtim me procedurat përkatëse në pajtim me ligjin.

 

Gara e avokatëve për anëtar të KPK-së, Antikorrupsioni gjen konflikt të interesit