VITI - 01.04.2020

Kuvendi komunal i Vitisë ndau 100,000 euro për luftimin e  pandemisë Covid-19

 

Kuvendi  komunal i Vitisë, ka mbajtur dje një mbledhje urgjente në të cilën pos që është dhënë një njoftim rreth situatës momentale të pandemisë së COVID-19 në komunën e Vitisë, po ashtu është miratuar edhe propozimi për ndarjen e mjeteve financiare për luftimin e kësaj pandemie.

Fillimisht kryesuesi i Kuvendit Komunal Naim Pira, ka falënderuar gjitha Institucionet komunale, shëndetësore, të sigurisë, organizatat dhe shoqatat, donatorët e vullnetarët e ndryshëm, si dhe gjithë ata që po angazhohen që kjo pandemi të tejkalohet me sa më pak pasoja.

Ndërsa zv/kryetari i komunës Hasan Aliu, njoftoi këshilltarët me punën që është bërë për gjatë këtyre ditëve të Institucioneve komunale, ku është formuar edhe Komiteti komunal i emergjencës.

“Ne si komitet, kemi qenë të angazhuar që situatën ta kemi nën kontroll. Me marrjen e masave adekuate, që nga paraqitja e rastit të parë me këtë virus, jemi mobilizuar dhe kemi marrë vendimin e menjëhershëm që Stublla të karantinohet. Kemi arritur që të menaxhojmë suksesshëm me situatën dhe për momentin kemi gjendje stabile, duke mos pasur raste të reja, përpos atyre 7 rasteve në fshatin Stubëll”, ka thënë Aliu.

Propozim vendimin për ndarjen e mjeteve prej 100,000 euro, që kanë të bëjnë me luftimin e pandemisë në komunën e Vitisë,  këshilltarët komunal  e miratuan njëzëri. Seanca u mbajt në kushte të jashtëzakonshme, për shkak të respektimin të masave mbrojtëse dhe ruajtjes së distancës, për çka mbledhja u mbajt në Shkollën e Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti. Fillimisht, në hyrje të seancës, ekipi mjekësor i QKMF-së i ka bërë një kontrollë gjithë këshilltarëve dhe  pjesëmarrësve.

Kujtojmë se rasti i parë i konfirmuar me coronavirus ishte pikërisht nga Komuna e Vitisë, çka kishte bërë që Vitia të futet në karantinë tash e dy javë.