Kuvendi Komunal Shtime

Kuvendi Komunal i Shtimes heq nga diskutimi çështjen e pronave të paluajtshme të Komunës

Në mbledhjen e dytë të Kuvendit Komunal të Shtimes është votuar që të largohen nga rendi i ditës gjashtë pikat që kanë të bëjnë me pronat e paluajtshme të Komunës.

Asamblisti Fehmi Hysenaj nga radhët e Nismës Socialdemokrate ka propozuar që te ndryshohet rendi i ditës dhe me shumicë votash është ndryshuar.

“Pikat që kanë të bëjnë me shpalljen me interes të përgjithshëm dhe pikat në këmbim të pronës të gjitha të hiqen nga rendi i ditës”, ka thënë Hysenaj.

Në anën tjetër asamblisti Shefki Dautaj nga radhët e PDK-së ka thënë se nëse ka parregullsi për këtë mund të ndjekin procedurat gjyqësore.

“Sa i përket rendit të ditës unë nuk kisha thënë që të hiqen, por të votohen pako, të anulohen këto pika dhe të mos vijnë më këto pika të shpronësimit”, është shprehur Dautaj.

Kryetari Naim Ismajli bëri të ditur se këto pika kanë bazë ligjore dhe se respekton vendimin e secilit.

“Nëse ju keni dilema për aspektet ligjore ne e kemi zyrtarin ligjor për secilën veç e veç mund të japë shpjegime, por unë ju siguroj se unë së pari kemi konsultuar bazën ligjore, pastaj i kemi bërë propozimet. Vendimi juaj është çështje e juaj, unë e respektoj si kryetar”, ka thënë Ismajli.

Në këtë mbledhje Zyra Kryesore Financiare ka raportuar pasqyrat vjetore financiare për vitin 2020 dhe raportin periodik për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit.