Kuvendi Komunal i Prishtinës e voton 'me ndryshime' planin për Lagjen Arbëria

Me të filluar mbledhja e kuvendit komunal të Prishtinës, kryetari Përparim Rama dha një propozim që si pikë e rendit të parë të ditës të futet plani rregullues për Lagjen Arbëria.

“Kryeqyteti ka rivlerësuar kërkesën për rishqyrtimin e planit rregullues Arberia 3 në kuadër blloku D2.1 dhe D2.2 të tërësisë D. Konkretisht destinimin e parcelës kadastrale me numër 103-0, zona kadastrale Prishtinë. Ky plan do të inkorporohet në planin zhvillimor komunal dhe hartat zonale”, tha kryetari i kryeqytetit Përparim Rama duke kërkuar nga asamblistët që ta votojnë.

Por, partitë opozitare para se të votojnë këtë pikë, kërkuan që fillimisht të dinë se çka ndryshuar ky plan, për dallim nga ai që u anulua në muajin mars.

“Na nuk po e dim çka po ndryshohet, cilat janë ndryshimet. Është anuluar njëherë tash po ndryshohet. A mundeni me na sqaru dikush saktë se nuk po kemi njohuri”, pyeti asamblisti i AKR-së, Gëzim Mehmeti.

Ndërkaq, asamblisti i LVV-së Gëzim Sveçla pyeti se “a ka ndryshu diçka në aspektin teknik në këtë plan nga ai i cili është anuluar?”.

Drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki deklaroi shkurt se “është plotësimi i materialit që ka mungu dhe se i vetmi dallim është ai”.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës për të marrë detaje se për çfarë “plotësimi” bëhet fjalë saktësisht.

Me 39 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime u votua propozimvendimi për miratimin e ndryshimit të plotësimit të pjesërishëm të bllokut urban “D2” në kuadër të planit rregullues “Arbëria 3” të miratuar me vendimin për plotësimin dhe ndryshimin, 01nr.35-9405, të datës 04.05.2015.

Mes tensionesh e diskutimeve, Kuvendi Komunal i Prishtinës më datën 18 mars 2022 kishte shfuqizuar vendimin për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të pjesërishëm të bllokut urban “D 2” në kuadër të planit rregullues “Arbëria 3” i miratuar me vendimin për plotësimin dhe ndryshimin, i datës 04.05.2015.

Kryetari Përparim Rama kishte thënë se edhe për këtë vendim është kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Asamblistët opozitarë nuk kishin marrë pjesë fare në dy votimet.