Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, Foto: Arbnora Pllana/KALLXO.com
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut formoi Komisionin për Siguri
Në seancën e Kuvendit Komunal të Komunës së Mitrovicës së Veriut të mbajtur sot, më 29.11.2024, është votuar për emërimin e një anëtari të Komitetit për Komunitetet nga ana e Kuvendit dhe për Formimin e Komisionit për Siguri.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljani ka thënë se duhet të propozohen tre anëtarë për Formimin e Komisionit për Siguri.
“Sot do t’i propozojmë tre anëtarë në Komisionin për Siguri nga ana e komunitetit boshnjak, turk dhe serb” – ka thënë Ugljanin, më 29.11.2024.
Tutje Ugljanin shtoi se “Adelisa Djushinca, Betim Osmani dhe Arben Ismajli janë anëtarët e përzgjedhur për Komisionin e Sigurisë”.
Ndërsa, emrat e tjerë që do t’i shtohen këtij komisioni janë jashtë Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.
“Kemi edhe 5 emra, ata do të jenë jashtë Kuvendit dhe do t’i shtohen këtij Komisioni” – tha Ugljanin.
Me vendim të Asamblesë së Mitrovicës së Veriut është zgjedhur anëtari për Komitetin për Komunitetet.
“Jahir Demaku është zgjedhur anëtari i ri për Komitetin për Komunitet” – ka shtuar Ugljanin.
Kurse, zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku potencoi se Komiteti për Komunitet është krijuar nga Asambleja Komunale e Mitrovicës së Veriut.
“Komiteti për Komunitet është i krijuar prej ne, d.m.th. ne kemi votuar, asambleja ka votuar dhe është trupi i jonë, jemi duke folur për një organ që është i joni dhe e kemi votuar” – ka potencuar Sadiku.
Po ashtu, Skender Sadiku tregoi se “për disa muaj anëtarët e këtij komuniteti nuk janë paguar”.
Sadiku ka thënë se të gjithë anëtarët e këtij grupi duhet të mendojnë se janë të gjithë një organ i cili vepron në të mirën e komunitetit.
“Të gjithë anëtarët e komunitet ku përmenden, nuk guxojnë me mendu çështjen që një trup është i ardhur nga jashtë, por janë thjeshtë organet tona. Këto organe do t’i mbrojmë me ligj, këto organe do të funksionojnë” – ka thënë Sadiku.
“Funksionalizimi i këtij komuniteti bëhet me kërkesë. Ne i kemi borxh për një kohë të gjatë, sepse kanë qenë pa u paguar dhe nuk është çështje tek propozimi po duhet direkt të votohet që të bëhet pagesa për punën e kryer dhe të vazhdojmë me procedurën, të cilën e kanë aprovuar shumica e komunave në Kosovë” – shtoi Sadiku.
Ndërkaq, Ugljani bëri të ditur se kërkesa për dhënien e pagave të anëtareve të Komitetit për Komunitet në Komunën e Mitrovicës së Veriut është votuar dhe do t’i dorëzohet ekzekutivit.