Kuvendi komunal i Lipjanit miraton pako emergjente me mbi 154 mijë euro

Kuvendi Komunal i Lipjanit në një mbledhje të jashtëzakonshme unanimisht ka miratuar një pako emergjente me vlerë prej 154 mijë e 735 euro bashkë me lehtësirat financiare për biznese, për shkak të COVID-19.

Mbledhja është mbajtur në ambientet e Gjimnazit “Ulpiana” në Lipjan, duke respektuar distancën dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka thënë se e gjithë kjo situatë e krijuar është në monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet komunale, QMF-Lipjan dhe Policinë e Kosovës.

Gjatë kësaj seance janë miratuar edhe lirimi nga pagesa e taksave dhe qirasë komunale, lirimi nga pagesa e tarifave në institucionin për edukimin dhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për klubet sportive.

“Gjatë kësaj seance është bërë thirrje për të gjithë qytetarët lipjanas që të qëndrojnë në shtëpi, dhe të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit”, thuhet në njoftimin e komunës.

Në Komunën e Lipjanit deri më tani janë shënuar pesë raste me COVID-19.