default

Kuvendi i Kamenicës ‘pa vullnet’ për ta votuar buxhetin

Pauza prej 5 minutave bëri që shumica e asamblistëve në Kamenicë të mos kthehen më në mbledhjen e Kuvendit Komunal ku edhe i priste pika për votimin e buxhetit për vitin 2021.

Mungesa e kuorumit bëri që të mos hedhet fare në votim kjo pikë e cila ishte paraparë që të votohet sot për të 4-tën herë.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati kërkoi nga asamblistët që nëse dikush ua cenon vullnetin sesi duan të votojnë t`i denoncojnë rastet në polici.

“Është përpjekja e 4-të me e kalu buxhetin, nuk është buxhet specifik askush nuk është duke thanë asnjëherë që nuk pajtohet me projektet por është qëllim vetëm me blloku funksionimin. Nuk ka kuptim Komuna e Kamenicës me e blloku me e rrit një buxhet që është afër 2 milion euro. Buxheti nuk ka lidhje fare me reformën në arsim, ju lutem shikone debatin ‘Jeta në Kosovë’ për asnjë moment nuk e kanë përmend para mediave edhe partitë opozitare që buxheti ndërlidhet me reformën në arsim. Nuk janë para të Qëndron Kastratit dhe nuk kanë me e zmbraps Qëndron Kastratin prej reformës” , tha ai.

Në debatin ‘Jeta në Komunë’ kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati pati thënë që në komunën e një pjesë e Kuvendit Komunal e shohin si mundësi përfitimi votën e tyre për buxhet.

“Sfida në komunat e vogla, po më vjen keq që po duhet me përmend publikisht po e shohin si projekt të rëndësishëm edhe e shohin si mundësi me përfitu diçka ose me blloku dikë. Në përgjithësi, një pjesë e Kuvendit Komunal e shohin si mundësi më përfitu diçka”, ka thënë ai.

I pyetur se për çfarë ‘përfitimesh’ bëhet fjalë, Kastrati ka thënë se janë kryesisht favoret për punësime.

“Fillon prej punësimit, që ka kërkesa duke përfshirë vetën edhe familjen e ngushtë deri tek mundësia me u blloku komuna fare vitin tjetër, sepse nëse nuk kalon buxheti deri në fund, deri në mars, pastaj nuk ka paga as për zyrtarët e komunës” , ka thënë ai.

Kastrati: Një pjesë e Kuvendit Komunal e shohin si mundësi ‘përfitimi’ votën e tyre për buxhet